Home Video Lajme
Kurti me shumë mundësi nuk do e pranojë vendimin e Kushtetueses nëse caktohen afate (VIDEO)
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka një kusht për ta pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese përkitazi me mandatarin për formimin e Qeverisë së re. Do ta respektojë atë, vetëm në rast se në këtë dokument nuk “caktohen” afate që nuk i përmban as akti më i lartë juridik i shtetit.

“Ne do ta respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa ai është interpretim i Kushtetutës, siç është misioni i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti, raporton KOHA.

“Koha Ditore” ka raportuar të premten se burime brenda Gjykatës kanë bërë të ditur se shtatë nga nëntë gjyqtarët ndodhen në anën e presidentit Hashim Thaçi, meqë në aktgjykim duan të “caktojnë” një afat 15-ditësh, brenda të cilit partia që kreu i shtetit i drejtohet me kërkesën për ta dhënë mandatarin, duhet ta propozojë emrin e kandidatit për kryeministër ose duhet shprehimisht të heqë dorë nga kjo e drejtë.

Pas një vizite në Burgun e Dubravës, kryeministri në detyrë ka theksuar se rasti i Dekretit për mandatarin është vendimi më i rëndësishëm i përbërjes së tashme të gjyqtarëve të Kushtetueses. Ai ka thënë se gjyqtarët janë të kufizuar vetëm në interpretimin e normave kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese duhet të punojë në qetësi, si e paanë, e pavarur, profesionale. Ajo duhet ta interpretojë Kushtetutën. Nuk mund ta shkruajë Kushtetutën as Gjykata Kushtetuese, as kryeministri, as presidenti. Kushtetuta mund të ndryshohet, përkatësisht shkruhet, vetëm me amendamente në Kuvendin e Republikës”, ka deklaruar kryeministri në detyrë.

Kushtetuta nuk përcakton kohën brenda së cilës duhet ta ofrojë emrin e mandatarit partia që merr kërkesën për këtë propozim nga presidenti.

Pas mocionit, Thaçi e ka pritur vetëm 20 ditë Vetëvendosjen, si parti e parë e dalë në zgjedhjet e fundit. Më pas, ia ka ofruar LDK-së mundësinë për ta propozuar mandatarin, nën supozimin se LVV-ja ka refuzuar ta paraqesë emrin e kandidatit të ri për kryeministër.

Ditën kur presidenti e ka nxjerrë Dekretin për ta caktuar Avdullah Hotin e LDK-së mandatar, partia e Kurtit e ka kontestuar në Kushtetuese dokumentin dhe Gjykata e ka pezulluar atë për kohën derisa ta nxjerrë aktgjykimin.

E në aktgjykim, sipas burimeve të KOHËS, pritet të përmendet afati 15-ditor, brenda të cilit partia duhet të japë përgjigje për emrin e mandatarit. Në rrethanën kur kjo nuk bëhet, me aktgjykim presidentit do t’i lihen duart e lira për të dalë tek një parti tjetër.

Mes eksponentëve politikë që kanë reaguar pas publikimit nga KOHA të këtyre informatave, është edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo, një vendim të tillë eventual e ka quajtur arnim për interesa të Thaçit dhe atyre që kanë humbur zgjedhjet.

Dekretit të presidentit Thaçi i është caktuar masë e përkohshme së paku deri më 29 maj, kur pritet që gjyqtarët e Kushtetueses të vendosin për këtë rast.
Dërgoja mikut në:
Shkruani komentin tuaj!
 
Njihuni me papagallin Dracula, specie në zhdukje me një pamje të veçantë (VIDEO)
Bayerni "shkërrmoq" Dusseldorfin, arratiset drejt titullit (VIDEO)
Aksion spektakolar, Lewandowski shënon golin e tretë (VIDEO)
Nuk ndalet Bayerni, dyfishon rezultatin (VIDEO)
Bayerni zhbllokon rezultatin ndaj Fortuna Dusseldorf (VIDEO)

Shqipëri Kosovë Maqedoni Sport Showbiz Argëtim Lifestyle Teknologji Auto Ekonomi Bota Video Lajme Foto Lajme English News
© 2003 - 2020 Albeu Online Media