Home Receta gatimi
Kroketa me patate dhe peshk për një darkë të lehtë dhe të shëndetshme
PËRBËRËSIT: 4-5 patate, 300-400 g peshk shpatë, 3-4 thelpinj hudhra, një tufë e vogël majdanoz, një tufë e vogël trumzë, 1-2 lugë galetë (bukë e thërrmuar që përdoret për qofte), 1 lugë e vogël kripë, 3-4 lugë djathë kaçkavall i grirë, 4-5 lugë miell, 2-3 kokrra vezë dhe vaj kikiriku ose luledielli.

PËRGATITJA: Qëroni patatet dhe pritini në copa të mëdha, jepuni një të zier në ujë me kripë për 15 minuta ose derisa shikoni që janë zbutur mjaftueshëm për t'u shtypur. Hiqini dhe lërini mënjanë të ftohen paksa. Tek i njëjti ujë i zierjes, vendosni dhe peshkun të ziej për 2-3 minuta sa të jetë më i lehtë per t'u punuar. Hiqeni dhe lëreni të kullojë mirë. Në robotin e kuzhinës shtoni patatet, peshkun, kripë, piper, erëzat e njoma, hudhrat, galetën, djathin e grirë dhe jepini një të bluar derisa të formohet një masë kompakte dhe e bluar mirë. (Provojeni nëse ka akoma nevojë për kripë dhe piper.)

Merrni paksa nga kjo masë dhe formojeni me duar, nëse formohet mirë si top është gati, nëse ju duket shumë e lëngshme shtoni dhe pak galetë (bukë e bluar). Nëse ju rezulton shumë e trashë dhe mezi ju lidhet shtoni nga një lugë qumësht dhe provojeni përsëri. Tani ndani miellin, vezët e rrahura dhe galetën në tre pjata të ndryshme. Nga brumi me patate dhe peshk merrni pak, formoni toptha me duar të lyer pak me vaj, kalojini në miell pastaj në vezë dhe në fund në galetë. Veproni kështu për të gjithë pjesën e mbetur të brumit dhe skuqini në vajin e nxehtë. Pak për çdo herë. Kullojini dhe hiqjani vajin e tepërt me letër kuzhine. Shërbejeni të ngrohta me një salcë tartar.
Dërgoja mikut në:
Shkruani komentin tuaj!
 

Shqipëri Kosovë Maqedoni Sport Showbiz Argëtim Lifestyle Teknologji Auto Ekonomi Bota Video Lajme Foto Lajme English News
© 2003 - 2019 Albeu Online Media