Home Shqipëri
Historia e panjohur: Si donin t'a vrisnin Ramiz Alinë me bombë në Has në vitin 1983 (FOTO LAJM)
Ngjarja e panjohur e qershorit të vitit 1983 në mitingun që bëri Ramiz Alia në zonën e Hasit, ku Sigurimi i Shtetit arrestoi disa banorë të asaj zone duke i akuzuar si “grup terrorist” e “agjentë të UDB-së” dhe torturat çnjerzore ndaj tyre të inicuara nga Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, që ata të pranonin se “kreu i grupit” ishte Halil Sinani, antari i Gjykatës së Lartë

Nga Dritan Xhemalaj

Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën” i cili është një projekt i ideuar dhe mbështetur fillimisht nga zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe nën kujdesin direkt të drejtorit të Përgjithshëm z. Thoma Gëllçi, dy bashkëautorët realizues të projektit në fjalë, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, (Doktore e Shkencave Historike), sjellin para teleshikuesëve dokumentarin e njëmbëdhjetë, me titull “Bomba e gënjeshtërt e djemëve të Hasit”,(Kushtuar të ashtuquajturit “Grupi i terrorist”, që u akuzuan se donin t’i bënin atentat Ramiz Alisë në qershorin e vitit 1983, kur ai bëri një vizitë në rrethin e Kukësit.

Ky cikël dokumentarësh i cili ka filluar prodhimin që në muajin shtator të vitit të kaluar dhe trasmetimin në ekranin e RTSH1 që nga fillimi i muajit dhjetor, sjell para teleshikuesëve ngjarje të bujshme apo dhe të panjohura nga periudha e regjimit komunist të para viteve ’90-të, kryesisht ngjarje që kanë të

bëjnë me krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës nga viti 1944 e deri në vitin 1991.

Në këtë kuadër, dy autorëve të sipër cituar, Kaloçi dhe Stafa, si dhe stafi i tyre realizues, në këtë dokumentar kanë tentuar të rindërtojnë ngjarjen e vitit 1983, kur Ramiz Alia, i sapozgjedhur në funksionin e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë (duke zëvëndësuar në atë post Haxhi Lleshin), bëri një tur vizitash në disa nga rrethet Veri-Lindore të Shqipërisë, si Mat, Bulqizë, Peshkopi, Kukës, Has dhe Tropojë.

Ky tur vizitash i Ramiz Alisë në atë kohë, për ata që ndiqnin me kujdes dhe vëmëndje politikën e Tiranës zyrtare dhe personalisht Enver Hoxhës, konsiderohej si një promovim apo popullarizim që po i bëhej Alisë nga diktatori komunist i Shqipërisë, i cili e kishte zgjedhur tashmë atë si pasardhës të tij. Kjo gjë lidhej edhe me faktin se Enver Hoxha pak muaj më parë kishte arrestuar Kadri Hazbiun, Feçorr Shehun, Llambi Ziçishtin, Mihallaq Ziçishtin, Nesti Nasen etj, duke i akuzuar ata si agjentë të shërbimeve të huaja, (kryesisht UDB-së jugosllave) dhe pjestarë të grupit të Mehmet Shehut. Pra, këto ngjarje të ndodhura në udhëheqjen e lartë të regjimit komunist të Tiranës, shikoheshin si një “pastrim rruge” që kishte bërë Enver Hoxha për t’ia lënë “të pastër Partinë” dhe “rrugën e hapur” drejt pushtetit, zëvëndësit të tij, Alisë.

Në këtë atmosferë, Ramiz Alia po ndërrmerte turin e tij të vizitave në rrethet Veri-Lindore dhe në mitingun e organizuar në zonën e Hasit, vetëm pak minuta pasi kishte filluar fjalën e tij Ramiz Alia, Sigurimi i Shtetit arrestoi një 40 vjeçar, i quajtur Uk Dauti nga fshati Golaj, të cilit thuhet se iu gjet një bombë të fshehur në xhepin e pantallonave. Kjo ngjarje e ndodhur në atë miting, thuhet se shkaktoi një farë paniku gjë e cila bëri që Ramiz Alia ta shkurtonte fjalimin e tij dhe gjatë asaj kohe ende pa përfunduar mitingu, Sigurimi i Shtetit dhe forcat e policisë arrestuan rreth 40 persona pjesmarrës në atë miting, kryesisht nga fisi Dauti, Sefolli dhe Mazrreku.

Të cilët u dërguan menjeherë në Degën e Punëve të Brendëshme të Kukësit, ku pas marrjes në pyetje, pjesa më e madhe u liruan dhe u mbajtën rreth 7-8 persona të arrestuar. Hetuesia e tyre aty në Degën e Punëve të Brendëshme të Kukësit zgjati disa muaj dhe më pas, nisur dhe nga akuza që u bëhej atyre për “grup terrorist që të lidhur me UDB-në jugosllave kishin tentuar t’i bënin atentat Ramiz Alisë”, ata u sollën në Hetuesinë e Tiranës,

ku iu nënshtruan përsëri torturave çnjerzore, në mënyrë që të pranonin se; ata ishin vënë në shërbim të UDB-së jugosllave, duke pasur si ndërlidhës, Abyl Alinë që jetonte në Kosovë dhe vinte herë pas here ilegalisht në fshatin Golaj etj, duke iu dhënë detyrat pjestarëve të grupit. Gjyqi ndaj tyre u zhvillua me dyer të mbyllura në ambientet e Gjykatës së Lartë në Tiranë në dhjetorin e vitit 1984, (gjyqi u filmua i gjithi dhe ndiqej nga udhëheqja e lartë) dhe si përfundim, Uk Dauti dhe xhaxhaj i tij, Man Dauti u dënuan me vdekje me pushkatim, ndërsa të tjerët; Muç Dauti, Uk Mazrreku, Xhem Sefolli etj, u dënuan me nga 25 vjet heqje lirie.

E gjitha kjo ngjarje vjen në këtë dokumentar e rrëfyer para kamerave nga disa prej protagonistëve dhe aktorëve kryesorë të saj të arrestuar për “atentatin” ndaj Ramiz Alisë, apo dhe familjarëve të tyre, si: Hazir Dauti, Shyqëri Dauti, Xhemal Dauti, Bajram Dauti, Hysni Sefolli, Fatime Dauti, Jakup Sefolli, Tahir Mazreku, etj. Po kështu me dëshmi mjaft interesante para kamerave vijnë në këtë dokumentar edhe Preng Vorfi, ish-Sekretar i parë i Bashkimit të Rinsë së Punës së Shqipërisë së rrethit të Kukësit e një ndër organizatorët e mitingut, pasi e kishte detyrë funksionale si instruktor i Komitetit të Partisë së rrethit të Kukësit.

Një nga dëshmitë më me mjaft interes në këtë dokumentar televiziv, është dhe ajo e juristit të njohur Halil Sinani, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë në vitet ’80-të për dy mandate, i cili dëshmon përpjekjet e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit në atë kohë, Zylyftar Ramizit, që insistonte te Aranit Çela, Kryetari i Gjykatës së Lartë të asaj kohe, që t’ja hiqte imunitetin Halil Sinanit, pasi sipas tij, Halili ishte “kreu i grupit terrorist i lidhur me UDB-në jugosllave”. Dhe krahas kësaj, në qelitë e burgut të Tiranës (repartit 313) ku zhvillohej hetuesia ndaj “grupit të Hasit”, përdoreshin tortura çnjerzore ndaj Xhem Sefollit, në mënyrë që ai të pranonte se Halil Sinani ishte kreu i grupit të tyre.

E gjitha kjo bëhej pasi Halil ishte me origjine nga fshatrat e thella të Kukësit, (afër kufirit me Kosovën), binte krushqi me Xhem Sefollin dhe gjatë kohës që ishte Kryetar i Gjykatës së Tropojës dhe Peshkopisë, dilte ndonjëherë për gjueti në fshtarat e thella dhe nisur nga këto, akuza ndaj tij si “kryetar i grupit terrorist i lidhur me UDB-në” do të bëhej më e besueshme në popull. Në këtë kontekst, Sigurimi i Shtetit në atë kohë arrestoi edhe një “grup tjetër terrorist” në rrethin e Tropojës,

të cilët gjithashtu i akuzoi se kishin dashur që t’i bënin atentat Ramiz Alisë gjatë vizitës së tij në rrethin e Tropojës. Dhe si rezultat, dy “krerët e këtij grupi terrorist”, Isuf dhe Skënder Aluca, i dënoi me vdekje, me pushkatim, por që më pas vetë Ramiz Alia ua fali jetën dhe ua la me 25 vjet burg, pasi Skënderi ishte adoleshent dhe Isufi pak më i madh se ai.

Po kështu me mjaft interes në dokumentarin në fjalë vjen dhe dëshmia e Petrit Palushit, shkrimtar, studjues dhe autor i shumë librave për krimet e komunizmit në rrethin e Kukësit, i cili dëshmon rreth ngjarjes së Hasit dhe pse u inskenua ajo nga Sigurimi i Shtetit.

Të gjitha këto dhe të tjera fakte të panjohura nga ngjarja me “Grupin terrorist të Hasit”, kanë tentuar t’i zbardhin dhe të hedhin dritë mbi to, dy bashkëautorët realizues të dokumentarit, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Stafa (Doktore e Shkencave Historike) të cilët për vite me rradhë në fokus të punës së tyre, me shkrime, libra, studime, emisione dhe dokumentarë televiziv, kanë pasur kryesisht ngjarjet e periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës. Edhe dokumentari në fjalë, “Bomba e gënjështërt e djemve të Hasit”, vjen si nëpërmjet dëshmive të personave të sipërcituar, (kryesisht nga fisi Dauti, Sefolli dhe Mazreku), ashtu dhe nëpërmjet filmimeve të rralla autentike të saj ngjarje të marra nga Arkivi Qëndror i Filmit në Tiranë dhe dokumenteve arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Brendëshme në Tiranë.

Ky dokumentar që realizohet nën kujdesin direkt të drejtorit të përgjithshëm Radio Televizionit Publik Shqiptar, z. Thoma Gëllçi, dhe është prodhim ekskluziv i këtij televizioni, vjen premierë të enjten, dt.17 Maj, në ora 20 e 35 dhe ritrasmetohet të premten, dt. 19 Maj, në ora 13 e 15 në Radio Televizionin Publik Shqiptar. /Tema/
Dërgoja mikut në:
Shkruani komentin tuaj!
 
Përgatituni, në këto zona priten reshje bore nesër
Shkundet Shqipëria, ku ranë tërmetet e njëpasnjëshme
Tronditet përsëri Fieri, motoçikleta përplas rëndë 2 vjeçaren
Kthehej nga Anglia, burrelsit i sekuestrojnë mijëra paund në Durrës
Tronditet Fieri, makina përplas dy gra në trotuar

Shqipëri Kosovë Maqedoni Sport Showbiz Argëtim Lifestyle Teknologji Auto Ekonomi Bota Video Lajme Foto Lajme English News
© 2003 - 2018 Albeu Online Media