Home Maqedoni
Sasoli jep mesazhin inkurajues para deputetëve
Kreu i Parlamentit Evropian David Sasoli mbylli vizitën dyditore në Shkup me fjalim inkurajues para deputetëve, që vendi të vazhdojë në rrugën e nisur. Ai tha se ligjvënësit nuk duhet t’i vijë keq për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit, të cilën gjë e konsideroi se hap të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Ka një moment pezullimi të procesit të zgjerimit, tha Sasoli, por me formimin e Komisionit të ri Evropian së shpejti do të rikonfirmohet mbështetja për Maqedoninë e Veriut.

"Për momentin jemi të bindur, edhe krahas disa vërejtjeve se ky proces për Maqedoninë e Veriut duhet të fillojë dhe të përfundojë sa më shpejt që është e mundur. Kemi nevojë t’u sqarojmë mirë qytetarëve tanë se nuk kishte një “jo” dhe nuk bëhet fjalë për një “gabim historik” por për një “pezullim historik”. Me mbështetjen e Komisionit të ri Evropian për aderimin dhe fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut do të jetë e mundur që mirë ta shqyrtojmë situatën dhe të vazhdojmë me rrugën e përbashkët"-tha David Sasoli, President i Parlamentit Evropian.

Në konferencë të përbashkët për mediat, kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha se mesazhet inkurajuese të krerëve të institucioneve të BE-së sjellin pritshmëritë që gabimi nga samiti i fundit ku vendi nuk mori datë, do të korrigjohet në maj.

"Biseduam me kryetarin Sasoli për dëshpërimin e kuptueshëm për mos-dhënien e datës për negociata për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe për atë se unioni nuk arriti të përmbushë premtimin që në fakt do të dërgonte mesazh të fuqishëm për të gjitha vendet në rajon.

Hapat e ardhshëm do të duhet të jenë në drejtim të korrigjimit të kësaj padrejtësie dhe nëse gjykojmë sipas fjalëve inkurajuese edhe të kryetarit Sasoli por edhe të gjithë faktorëve relevant pritjet nga Samiti në muajin maj janë se ky gabim historik do të përmriësohet"-pohoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Në kuadër të aktiviteteve për të ndryshuar qëndrimin kundërshtues të pak vendeve që nuk mbështetën fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë, Presidenti Stevo Pendarovski të martën e ardhshme pritet të takojë Presidentin francez Emanuel Makron nga i cili personalisht do të mund të dëgjojë shqetësimin e Francës për procesin e zgjerimit të BE-së.

Nga Kabineri i Presidentit nuk konfirmojnë akoma detajet e takimit i cili pritet të ndodhë në kuadër të Forumit parisien të paqes. Ky takim vjen pas insistimit të Presidentit Pendarovski për takim me Makronin i cili në Samitin e Këshillit Evropian ishte ndër kundërshtarët më të zëshëm për caktimin e datës për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me argumentimin e se BE-ja duhet fillimisht të reformojë metodologjinë e procesit të anëtarësimit.
Dërgoja mikut në:
Shkruani komentin tuaj!
 
Maqedonia e Veriut, premio marramendëse për të mundur Kosovën në Ligën e Kombeve
Zaev: Nuk e komentoj deklaratën e Ruskoskës
"Ajo nuk është Katica, ајo është dërguar me helikopter në Greqi"
Reshje shiu dhe mjegull, çfarë do të ndodhë me temperaturat
Zaev i vendosur: Vetting edhe për politikanët

Shqipëri Kosovë Maqedoni Sport Showbiz Argëtim Lifestyle Teknologji Auto Ekonomi Bota Video Lajme Foto Lajme English News
© 2003 - 2019 Albeu Online Media