Home Bota
Pritshmëritë e Uashingtonit rreth takimit Trump-Kim
Kur mbetet më pak se një muaj nga mbatja e një takimi të planifikuar mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, Uashingtoni është përqendruar tek mundësitë për një përparim të madh si dhe rreziqet që mund të sjellë takimi i shumëpritur.

Ofensiva e joshjes së Koresë së Veriut vazhdon …edhe disa ditë pas lirimit të tre shtetasve amerikanë, zhvillim që u përcoll me lëvdata nga presidenti amerikan.

"E falënderojmë Kim Jong Un-in", tha Donald Trump.

Përpara takimit të 12 qershorit në Singapor, Koreja e Veriut premton të çmontojë një zonë të cilën e përdor për prova bërthamore. Në një postim në twitter Presidenti Trump e cilësoi këtë "një lëvizje shumë të zgjuar e të hijshme".

Por gjatë një interviste për bashkëpunëtoren e Zërit të Amerikës Greta Van Susteren, këshilltari i presidentit për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, tha se është e vështirë të mos i vendosësh në pikëpyetje arsyet e Phenianit.

"Është e mundur që të jetë pjesë e një gjesti të besueshëm ... Është gjithashtu e mundur, siç e kemi parë në raste sikurse me Iranin apo me vetë Korenë e Veriut, që ata të ndodhen në vështirësi dhe po ofrojnë diçka të nisur nga nevoja. Shpresoj të jetë e para”, tha John Bolton.

Deri tani, premtimi i vetëm publik nga Shtëpia e Bardhë është zhvillimi i mundshëm ekonomik i Koresë së Veriut, nëse arrihet një marrëveshje bërthamore dhe Pheniani i përmbahet asaj.

"Jemi të përgatitur për tregti dhe investime në Korenë e Veriut sa më shpejt të mundemi", thotë zoti Bolton.

Për një kohë të gjatë zoti Trump është krenuar me aftësitë dhe instinktet e tij për negociata, të cilat do të vendosen në provë në takimin historik me udhëheqësin e Phenianit.

"Mendoj se palët do të analizojnë njëra-tjetrën. Presidenti Trump do të ketë një shans për të parë Kimin në sy dhe të kuptojë nëse ai është me të vërtetë serioz".

Siç thotë zoti Bolton, presidenti Trump do të zgjidhte të largohej nga bisedimet, në vend të pranimit të një marrëveshjeje me probleme. Por në një kohë kur gjatë fjalimeve të tij politike, përkrahësit thërrasin “Nobel, Nobel,” pra që Presidentit t’i jepet çmimi i paqes, disa vëzhgues besojnë se presidenti nuk do të ishte gati të largohej nga Singapori duar bosh.
Dërgoja mikut në:
Shkruani komentin tuaj!
 
Shokuese, pudra e bebeve me përbërës kancerogjenë
Makina përplaset me autobuzin, 20 të plagosur në Gjermani
SHBA mbështet rezolutën për dialog
Shpërthejnë protestat e nacionalistëve në Bruksel (FOTO LAJM)
Putinin nuk i pëlqen më muzika Rap, arreston këngëtarët

Shqipëri Kosovë Maqedoni Sport Showbiz Argëtim Lifestyle Teknologji Auto Ekonomi Bota Video Lajme Foto Lajme English News
© 2003 - 2018 Albeu Online Media